Bismilah...

Kuptimi gjuhësor i fjalës "akide" është marrë nga fjala arabe "el-'akdu", që do të thotë lidhje dhe shtrëngim. Fjala "el-'akdu" përdoret kryesisht për gjëra konkrete, si për shembull lidhja e litarëve apo lidhja e penjve.

Pastaj, ajo përdoret edhe në mënyrë figurative, si për shembull lidhja e nikahut, lidhja e shitblerjes, lidhja e marrëveshjeve, e të tjera.

Fjala "el-akdu", që do të thotë lidhje, është e kundërta e fjalës "el-hal-lu", që do të thotë zgjidhje.

Kurse kuptimi i fjalës "akide" në terminologjinë fetare, është marrë nga kuptimi i saj gjuhësor.

Kuptimi i fjalës akide është: vendosmëri e prerë në të cilën nuk depërton asnjë dyshim, që lidhet me kërkesat hyjnore, me çështjet e Profetësisë dhe çështjet e botës së padukshme (gajbit).

Me kërkesat hyjnore është për qëllim çdo gjë që lidhet me Zotin e Patëmeta e të Lartësuar, me Qenien e Tij, me emrat e Tij, me veprat e Tij, që përfshihen në Teuhidin e diturisë dhe të lajmeve rreth Zotit, si dhe përfshin Teuhidin e qëllimit, kërkesës dhe veprës për Të. Krejt këto futen te kërkesat hyjnore.

Gjithashtu, te kërkesat hyjnore futet edhe besimi në melaiket.

Kurse me çështjet e Profetësisë është për qëllim besimi në Profetësinë e Profetëve, pranimin e vërtetësisë së tyre dhe besimin në mrekullitë e tyre.

Pastaj, janë çështjet e botës së padukshme (Gajbi), siç është ringjallja mbas vdekjes e çdo gjë tjetër që do të ndodhë, derisa robërit të futen në njërin prej vendbanimeve, ose në Xhenet ose në Xhehenem, ose derisa të hyjnë disa prej tyre në Xhenet e disa prej tyre në Xhehenem. Këto quhen çështje të Gajbit.

Pra, akideja i përfshin të gjitha këto."

 

Përktheu: Alban Malaj