Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 10
Emrat: er-Rrahmaan (الرَّحْمَنُ) [i Gjithmëshirëshmi], er-Rrahiim (الرَّحِيْمُ) [Mëshirëploti]
Këto janë dy emra fisnikë që janë përmendur shumë në Kuranin fisnik. Me këto dy emra e filloi Allahu suren Fatiha që quhet Nëna e Kuranit, si dhe i bëri këto dy emra simbol të udhëzimit dhe sqarimit që i zbriti Ai.
Ai i përfshiu këto dy emra te fjala “Bismil-lahi er-Rrahmani er-Rrahim”, të cilës nuk i reziston dot shejtani; me atë fjalë e filloi letrën e tij Profeti i Allahut, Sulejmani - alejhi selam -, e me atë fjalë zbriste Xhibrili te Profeti Muhamed – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – kur fillonte çdo sure nga Kurani.
Secili nga këto dy emra është argument që vërteton Mëshirën si cilësi të Allahut të Plotëfuqishëm e të Madhërishëm.
Er-Rrahman do të thotë që Ai e ka mëshirën cilësi të Tij. Kurse er-Rrahim do të thotë që Ai është i mëshirshëm për robërit e Tij.
Te këto dy emra ka argument të qartë për mëshirën e përsosur e të gjerë, e cila është cilësi e Allahut.
Çdo gjë e mirë, e dashur, e gëzueshme, apo e begatshme që arrihet në këtë botë, qoftë lartë apo poshtë saj, është si rezultat i Mëshirës së Tij. Po ashtu çdo gjë e urryer, çdo bela, çdo gjë e frikshme, çdo rrezik apo çdo dëm që u largohet krijesave, është si rezultat i Mëshirës së Tij.
Sepse çdo e mirë vjen veçse nga Ai, e çdo e keqe që largohet, largohet veçse nga Ai, sepse Ai është më i Mëshirshmi i të gjithë mëshiruesve.
Përktheu: Abdullah Beqiri