Bismilah...

Burimi: Sherhu Delili Talib, Kitabu Nikah (19), minutat 32:24

 

Pa dyshim se ai që bën akt martese me një grua dhe ka nijet që ta ndajë atë pas një viti, bën mashtrim ndaj saj. Sepse gruaja martohet dhe ka synim që të vdesë duke qenë nën mbikëqyrjen e burrit të saj, kurse ai është duke e mashtruar atë. Sheriati e ka ndaluar mashtrimin edhe në shitjen e drithërave, e që është gjë e vogël, e si mund ta lejojë Sheriati mashtrimin kur është në pyetje martesa e grave dhe nderi i njerëzve!

Pa dyshim se kjo lloj martese është tradhti ndaj gruas dhe kjo është një ndër shenjat e munafikëve. Gjithashtu kjo martesë e dëmton gruan. Nëse gruaja është virgjëreshë dhe ky tradhtari martohet me të duke patur qëllim ta ndajë atë pas një viti, atëherë kjo më quhet grua e shkurorëzuar e cila ka qenë e martuar një herë, dhe ndoshta askush nuk e kërkon më për martesë.

E nëse një grua ka qenë e shkurorëzuar dhe pas një kohe një burrë e marton atë, pastaj e ndan atë, atëherë kjo grua konsiderohet se ka qenë e martuar disa herë. Prandaj, kjo është dëm për gruan. Burrat nuk duan të martohen me një grua që ka qenë e martuar me më shumë se një burrë. Pejgamberi sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:

لاَ ضَرَرَ وَلاَ ضِرَارَ

“Mos i dëmto të tjerët dhe as mos i dëmto ata që të kanë dëmtuar ty.”

Për arsye se burri nuk do që të dëmtohen gratë e familjes së tij, e atëherë si dëshiron që t’u bëjë dëm grave të të tjerëve?!

Dëmet që vijnë si pasojë e kësaj martese janë të njohura. Një ndër dëmet është edhe pakujdesia e disa nxënësve të dijes në lidhje me këtë problem. Na kanë ardhur lajme se disa nxënës dije – nuk them krejt nxënësit apo shumica e nxënësve – por po them disa, të cilët kanë marrë përsipër për t’u bërë thirrje në fe grave pabesimtare, i kanë shfrytëzuar ato përmes kësaj martese. Ata martojnë sa më shumë gra të reja që hyjnë në Islam me nijet për t’i shkurorëzuar. Pra, ai martohet me atë me nijet që pas një muaji ta ndajë atë. Nëse vjen ndonjë tjetër që sapo ka hyrë në Islam, e shkurorëzon këtë të parën dhe e merr të dytën.

Më kanë ardhur lajme, madje e kam marrë vesh edhe personalisht se disa nxënës dije kanë filluar të udhëtojnë në disa shtete ku është shumë kollaj të martohesh me një mehër të vogël. Brenda dy ose tre javësh, ai martohet me tetë apo dhjetë gra. Ai martohet me to duke u dhënë një mehër të vogël dhe e bën nijet që t’i ndajë pas dy ditësh. Në realitet, kjo nuk është gjë tjetër vetëm se mbulesë për ta fshehur zinanë.

 

Përktheu: Jeton Shasivari