Autor: Shejkh Abdul-Azijz bin Abdullah bin Baz (Allahu e mëshiroftë!)
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/index.php?pg=mat&type=fatawa&id=2013
Pyetje: Disa njerëz e marrin Mus’hafin (Kur'anin) dhe shikojnë në të pa i lëvizur buzët e tyre. A konsiderohet ai që vepron kështu se është duke lexuar Kur'an apo e ka detyrë që t’i thotë fjalët dhe duhet t’i thotë me zë në mënyrë që të fitojë shpërblimin për leximin e Kur'anit? Dhe a do të shpërblehet ky person nëse vetëm shikon në Mus’haf? Na jepni dobi, Allahu ua shpërbleftë.
Përgjigje: Nuk ka asnjë problem nëse shikon në Kur'an duke u thelluar, duke menduar rreth tij dhe duke kuptuar domethëniet e tij, por ky person nuk konsiderohet se po e lexon Kur'anin dhe ai nuk do ta arrijë vlerën e leximit të Kur'anit vetëm nëse e thotë Kur'anin, edhe sikur ata që janë përreth tij nuk e dëgjojnë atë. Kjo mbështetet në thënien e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Lexojeni Kur'anin sepse vërtet ai do të vijë Ditën e Gjykimit si një ndërmjetës për shokun e tij.” [transmetuar nga Muslimi]
Ajo çfarë kishte për qëllim Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) me fjalën (shoku i tij) ishin ata që punojnë sipas atij (Kur'anit që e lexojnë), siç ka ardhur në hadithe të tjera. Dhe ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kushdo që lexon një shkronjë nga Kur'ani atëherë ai do të ketë një vepër të mirë deri në dhjetë herë.” [Transmetuar nga Tirmidhiu dhe ed-Darimi me një zinxhir transmetimi të mirë.]
Dhe personi nuk konsiderohet se po e lexon Kur'anin derisa t’i thotë fjalët, sikurse kanë thënë njerëzit e dijes.
Dhe suksesi është nga Allahu.
Përktheu Alban Malaj