Bismilah...

 

Përcjellë nga e bija e Shejkhul-Albanit rahimehullah, Sukejna el-Albanij

 

 

Ky artikull është përgatitur nga Sukejna El-Albanija e bija e Shejkhu Muhamed Nasirud-din El-Albani.

 

 

Lavdërimi i takon Allahut të Vetëm, paqja dhe bekimi qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka më profet. E më pas:

Pyeta babanë tim, Allahu e mëshiroftë, siç vijon shkurtimisht:

Kam lexuar se disa prej Imamëve, kur hynte muaji i Ramadanit linin çdo gjë vetëm për Kur’anin, edhe pse ata ishin prej njerëzve të dijes të cilët u jepnin fetva njerëzve, ata tërhiqeshin madje edhe nga dhënia e fetvave. A është e saktë kjo gjë? A ta specifikoj këtë muaj vetëm me Kur’anin? A ta lë leximin e haditheve, shpjegimin e tyre, mësimet e kira’ateve (recitimeve të Kur'anit) etj?

 

Ai u përgjigj:

Ky specifikim nuk ka bazë në sunet. Por, ajo që është prej sunetit dhe që është e njohur në dy sahihët [1] është: shpeshtimi i leximit të Kura’anit në muajin e Ramadanit. Ndërsa, kufizimi i muajit të Ramadanit vetëm në leximin e Kur’anit, pa bërë ndonjë ibadet tjetër si p.sh. marrja e dijes, dhënia e mësimit të hadithit, sqarimi i tij, shpjegimi i tij, kjo nuk ka bazë. Po kështu, këtu hyn edhe bamirësia, sadakaja, mirësia me njerëzit, etj, etj.

Lënia e gjërave të tjera për leximin e Kur’anit nuk ka bazë, ajo që ka bazë është shtimi i leximit të tij, kaq.

 

Fundnotë:
[1] Nga Ibn Abbasi (
radij Allahu anhuma) i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ishte më bujari prej njerëzve dhe ishte më bujari në Ramadan kur e takonte Xhibrili. E takonte Xhibrili çdo natë të Ramadanit dhe i mësonte Kur’anin. Dhe me të vërtetë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) kur e takonte Xhibrilin ishte më i shpejtë në bamirësi sesa era.” Ka thënë en-Neueuiu rahimehullah në lidhje me hadithin e sipërpërmendur të Ibn Abbasit: “Kanë thënë shokët tanë: prej sunetit është leximi i shumtë i Kur’anit në Ramadan dhe studimi i tij, t’ua lexojë të tjerëve dhe të tjerët t’ia lexojnë atij.” (El-Mexhmu’ Sherhul Muhedheb, 274/6)
Hafidh Ibn Rexheb
rahimehullah ka thënë për këtë hadith: “Në të ka argument për pëlqyeshmërinë e shpeshtimit të leximit të Kur’anit në muajin e Ramadanit.” (Et-Ta`iful-Me’arif, fq 169).

 

Përktheu: Umm ‘Akil