Autor: Abdur-Rezzak bin Abdul-Muhsin el-‘Abbad el-Bedër
Burimi: Kitabu edh-Dhikri ued-Du’a, fq. 154-157
Transmetohet nga Abdullah ibën Amër, radijAllahu, se një njeri e pyeti Pejgamberin ﷺ duke i thënë: “Cili është Islami më i mirë?” Ai i tha: “T’i ushqesh të tjerët dhe t’i japësh selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh.” Transmetojnë Bukhariu (12) dhe Muslimi (39).
Transmeton Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa ta doni njëri-tjetrin dhe nuk do të besoni derisa ta doni njëri-tjetrin. A t’ju tregoj diçka që nëse e bëni, do ta doni njëri-tjetrin? Përhapeni përshëndetjen me selam midis jush!” Transmeton Muslimi (53).
Transmeton Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e krijoi Ademin në pamjen e Tij. Gjatësia e Ademit ishte 60 krahë. Pasi që e krijoi Ademin, i tha atij: “Shko dhe përshëndeti me selam atë grup melaikesh që qëndrojnë ulur dhe dëgjo se si do të përshëndesin ata, sepse ajo është përshëndetja jote dhe përshëndetja e pasardhësve të tu. Kështu, Ademi u tha atyre melaikeve: “Esselamu alejkum!” Ata i thanë: “esselamu alejke ue rahmetullah.” Ata ia kthyen duke shtuar “ue rahmetullah.” Çdo njëri që hyn në Xhenet do të ketë pamjen (gjatësinë) e Ademit. Që prej asaj kohe e deri tani, njerëzit vazhdimisht janë zvogëluar.” Transmetojnë Bukhariu (6227) dhe Muslimi (2841).
Transmetohet nga Imran bin Husejn, radijAllahu anhu, se një njeri erdhi te Pejgamberi, ﷺ dhe i tha: “Esselamu alejkum!” Ai ia ktheu selamin, pastaj u ul. Pejgamberi ﷺ tha: “Dhjetë (shpërblime).” Pastaj erdhi një tjetër dhe i tha: “Esselamu alejke ue rahmetullah!” Pejgamberi ia ktheu dhe pastaj u ul e tha: “Njëzet (shpërblime).” Pastaj erdhi edhe një tjetër dhe i tha: “Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!” Pejgamberi ia ktheu dhe u ul, pastaj tha: “Tridhjetë (shpërblime).” Transmetojnë Bukhariu (5195) dhe Tirmidhiu (2689).
Transmetohet nga Ebi Umameh, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Njerëzit më të afërt tek Allahu janë ata që të parët përshëndesin me selam.” Transmeton Ebu Daudi (5197).
Transmetohet nga Alij bin Ebi Talib, radijAllahu anhu, se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nëse një grup kalon pranë një grupi, mjafton të japë selam vetëm njëri nga ata, kurse ata që janë ulur mjafton njëri nga ata ta kthejë selamin.” Transmeton Ebu Daudi (5210).
Transmetohet nga Enes ibën Malik, radijAllahu anhu, se ai kaloi pranë disa fëmijëve dhe i përshëndeti ata me selam, pastaj tha: “Pejgamberi ﷺ e bënte këtë gjë.” Transmeton Bukhariu (6247).
Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur dikush të vijë në një takim, le të japë selam. E nëse dëshiron të ngrihet që aty, le të japë selam. E para nuk është më parësore se e dyta.” Transmetojnë Ebu Daudi (5208) dhe Tirmidhiu (2706).
Përktheu: Jeton Shasivari