Autor: Shejkh Rabij’ Ibën Hadij el-Medkhalij
“Këshilla ime për ju është që të studioni; nëse flitet për ndonjë person, studiojeni çështjen e tij, merrini fjalët e kritikuesve dhe kuptojini ato dhe sigurohuni për saktësinë e tyre. Nëse ju bëhet e qartë, atëherë të gjykohet njeriu bazuar në kuptim të drejtë dhe bindje, e jo duke i bërë taklid (pasim i verbër) këtij apo atij, as duke qenë fanatik për këtë apo për atë. Lërini personat, filanin apo fistekun, këtë merreni parim dhe përcilluani atyre kundërshtarëve që ta kuptojnë realitetin, vetëm ta kuptojnë hakun dhe t’i nxjerrin vetet e tyre nga grumbulli i fanatikëve të batilit (të pavërtetës). Unë nuk kënaqem nga çdokush që është fanatik për mua, kurrë! Nëse gaboj, le të më thotë ai që kapi gabimin tim “Gabove!” – Allahu u bekoftë – dhe të mos jetë fanatik për askënd, as për këtë e as për atë, të mos jetë fanatik për gabimin e Ibën Tejmijes apo të Ibën ‘Abdul-Uehhabit apo të Ahmed Ibën Hanbelit apo të Shafiut apo të çdokujt, porse të jetë entuziast për hakun dhe të respektojë hakun, si dhe e ka detyrë që ta urrejë gabimin dhe ta urrejë batilin.”
Burimi: [Shkëputur nga kaseta me titull “Khutuuratul-Kedhibi ue Athaaruhu es-Seji`eh ue Meukif el-Islam minhu”]
Ka thënë gjithashtu Shejkh Rabij’ - hafidhahUllah -:
“Dikush thotë se ne jemi fanatikë për Albanin. Ne nuk jemi fanatikë as për Albanin as për Ibën Tejmijen as për ndonjë Sahab dhe as për ndonjë tjetër. Ne jemi fanatikë për fenë e Allahut dhe për menhexhin e Tij të vërtetë, dhe i gjykojmë me këtë menhexh Sahabët, Tabi’inët, Ibën Tejmijen, Ibën ‘Abdul-Uehabin, Ibën Bazin, Albanin… ne i gjykojmë ata me këtë menhexh. Ne i respektojmë njerëzit e Sunetit dhe jemi të edukuar me ta. Mirëpo nga edukata që duhet të kemi me Allahun dhe respekti për fenë e Tij, ne i sqarojmë gabimet e tyre për njerëzit, që ata të mos i marrin si fe këto gabime.”
Burimi: [Shkëputur nga kaseta: TakuaAllahi ue Athaaruha et-Tajjibeh]
Përktheu: Alban Malaj