Autor: Shejkh Ahmed Ibën ‘Umer Bazmul
Burimi: http://www.ajurry.com/vb/showthread.php?t=33641
Këtu dua t’u tërheq vëmendjen vëllezërve të mi Selefijinë në çdo vend, për një çështje të rrezikshme. Kjo çështje është: mashtrimi i tyre nga kushdo që del për të dhënë mësim dhe ata mendojnë se ia vlen të merret dija nga ai.
Nëse shohin dikë që shkruan nëpër forumet Selefije, ata mendojnë se ai është Selefij.
Nëse shohin se ai është autor i disa librave, ata mendojnë se ai është Selefij.
Nëse shohin se ai mban hytbe, flet shumë dhe ka oratori në të folurën e tij, ata mendojnë se ai është Selefij.
Nëse shohin se ai i mbledh të rinjtë dhe u mëson përmendësh Teuhidin, Tri Parimet... dhe u jep mësim për këto tema, ata mendojnë se ai është Selefij.
Nëse shohin se ai është mësues në universitet, ata mendojnë se ai është Selefij.
Nëse shohin se ai është mësues në Xhaminë e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) apo në Xhaminë e Mekkes, ata mendojnë se ai është Selefij.
Nëse shohin se ai është gjykatës (në gjykatë Islamike), ata mendojnë se ai është Selefij.
Nëse shohin se ai mban ligjërata, apo del nëpër media, ata mendojnë se ai është Selefij.
Dhe të gjitha këto çështje nuk janë të mjaftueshme tek dijetarët për të vërtetuar Selefizmin e këtij njeriu dhe për të vërtetuar se ai vlen që të japë mësim dhe t’u japë dobi vëllezërve të tij.
Të gjitha këto çështje nuk i bëjnë fare dobi atij, madje këto çështje i kemi parë tek ai që distancohet dhe largohet nga mexhliset e Ulemave Selefijinë, kemi parë se ata i nxjerrin këto pretendime veçse që t’i mashtrojnë njerëzit e thjeshtë kinse ata janë Selefijunë.
Në rregull?
Atëherë cila është rruga?
Rruga për të njohur se filani është prej atyre që merret dija apo jo është tek dy çështje:
Çështja e parë: që të ketë tezkije nga Ulematë dhe ata të thonë qartazi se filani është Selefij, nxënës dije, përfitoni prej tij.
Po ju tërheq vërejtjen për një problem: nëse Shejkhu tha “filani është Selefij”, kjo s’do të thotë se ai vlen që të japë mësim. Duhet patjetër që të theksojë tesktualisht dy çështje: çështja e parë se ai është Selefij, kurse çështja e dytë se ai vlen që të japë mësim. Dhe me të vërtetë kemi parë disa njerëz që i mashtrojnë njerëzit e thjeshtë me pretendimin se shejkh filani ka thënë për të se është Selefij. Në rregull. A tha për të se ai është dijetar? A tha për të se ai është nxënës i dijes? Sepse çështja e Selefiut është një gradë, kurse çështja e nxënësit të dijes dhe dijetarit është çështje më e lartë sesa thjesht Selefizmi, prandaj nuk duhet të mashtrohemi nga të tilla sjellje. E tillë është edhe çështja që ai është ulur në mësimet e Shejkh Rabisë apo ka qenë në shtëpinë e Shejkh Rabisë, si edhe çështje të tjera të ngjashme, me të cilat ata i mashtrojnë njerëzit.
Kështu që, çështja e parë është që dijetari ta thotë në tezkijen e tij se ai është në menhexhin Selefij dhe vlen që të japë mësim.
Kurse çështja e dytë është që çështja e tij të jetë e njohur tek Ulematë dhe tek nxënësat e dijes, të jenë të njohura qëndrimet e tij Selefije, ta lavdërojnë Ulematë me lëvdata të përgjithshme, ta përkrahin dhe ta mbrojnë. Pra, kjo tregon se ai është prej atyre – natyrisht që ai duhet të jetë prej atyre që kanë dalë për të kërkuar diturinë dhe është njohur tek Ulematë për kërkimin e dijes dhe ata kanë heshtur për të (d.m.th. nuk kanë kritika apo vërejtje për të), madje e kanë lavdëruar dhe e kanë mbrojtur – pra kjo tregon in-shaa-Allah se ai është në Hak. Kurse për sa u përket të tjerëve përveç këtyre dy rasteve, ruhuni, ruhuni, Allahu ju bekoftë! Dhe mos u mashtroni nga njerëzit e forumeve, apo nga ata që përdorin ato çështje për të mashtruar njerëzit e thjeshtë!
Dhe unë them dhe e përsëris: disa nga njerëzit e forumeve, disa që kanë rënë në fitne mund të nxjerrin pretendime duke përmendur Shejkh Rabijnë, mund të nxjerrin pretendime duke përmenur Shejkh ‘Ubejdin, ose Shejkh Mukbil el-Uadi’ij, Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të, ose Shejkh Nexhmin, Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të, ose Shejkh Ibën Bazin, ose Shejkh Ibën ‘Uthejminin, derisa t’i peshkojë njerëzit e thjeshtë. E nëse arrin t’i peshkojë, atëherë ua hedh atyre helmet.
Prandaj unë mendoj gjithashtu se ne duhet të pyesim për këto forume, a të hyjmë në to? A i ka lavdëruar dikush apo jo? Ngase ato përhapin diçka prej dijes, e ajo ose është dije e dobishme, ose është dije e dëmshme.
Përktheu: Alban Malaj