Autor: Ibën Kajjim el-Xheuzijeh
Burimi: Miftahu Dari Se’adeh, 2/177-178
Ibën Kajjim el-Xheuzijeh – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:
Medito rreth urtësisë së Tij, të Lartësuarit, që i ka bërë mbretërit e njerëzve, prijësit dhe udhëheqësit e tyre sipas llojit të veprave të njerëzve. Madje, sikur veprat e njerëzve pasqyrojnë pamjen e prijësve dhe mbretërve të tyre. Nëse njerëzit janë të palëkundur në fe edhe mbretërit do të jenë të palëkundur në fe; nëse njerëzit janë të drejtë, edhe ata do të jenë të drejtë ndaj tyre. Nëse njerëzit do të jenë të padrejtë, edhe mbretërit dhe udhëheqësit e tyre do të jenë të padrejtë. Nëse tek njerëzit shfaqet kurthi dhe tradhtia, kështu do të jenë edhe udhëheqësit. Nëse njerëzit privojnë njëri-tjetrin nga drejtat e Allahut dhe tregohen koprracë ndaj tyre, edhe mbretërit dhe udhëheqësit e tyre do t’i privojnë nga të drejtat e tyre dhe do të tregohen koprracë.
Nëse njerëzit, në marrëdhëniet e tyre, marrin nga i shtypuri atë që nuk u takon, mbretërit do të marrin prej tyre atë që njerëzit nuk e meritojnë dhe do t’u vë atyre tatime dhe shërbime. Sa herë që njerëzit marrin nga i shtypuri, edhe mbretërit do të marrin prej tyre me forcë. Pra, veprat e njerëzve pasqyrojnë pamjen e veprave të mbretërve.
Nuk është prej Urtësisë së Allahut që të ketë pushtet mbi të këqijtë dhe mizorët përveç se ai që është prej vet sojit të tyre. Kur brezi i parë ishte gjenerata më e mirë dhe më bamirëse, udhëheqësit e tyre ishin po kështu, dhe kur ata filluan të prishen, edhe udhëheqësit u prishën.
Andaj, Urtësia e Allahut refuzon që të na udhëheq neve në këtë kohëra, një sikur Mu’auijeh dhe Umer bin Abdul-Aziz, e ku më një sikur Ebu Bekri e Umeri. [1] Madje, udhëheqësit tanë janë sipas nivelit tonë dhe udhëheqësit para nesh ishin sipas nivelit të tyre. Secila nga këto dy çështje është nga shkaqet dhe kërkesat e urtësisë.
Dhe ai që ka zgjuarsi, nëse mediton thellë, do të shohë Urtësinë e Allahut që rrjedh nëpërmjet Vendimit dhe Paracaktimit (el-Kada uel-Kader) qoftë nga jashtë ashtu edhe nga përbrenda, ashtu siç rrjedh nëpërmjet Krijimit dhe Urdhërimit (el-Khalk uel-Emr). [2] Kështu që, mjerë për ty nëse ke mendime të prishura se diçka nga Vendimet dhe Caktimet e Tij janë të zbrazëta nga Urtësia e Përsosur. Përkundrazi, të gjitha Vendimet dhe Caktimet e Allahut të Lartësuar ndodhin në aspektin më të përsosur të saktësisë dhe urtësisë. Gjithsesi, intelektet e dobëta janë të mbuluara me dobësinë e tyre për t’i kuptuar këto [aspektet e urtësisë], ashtu siç janë të zënë sytë e verbuar nga drita e ditës, nga dobësia që kanë para dritës së diellit [3]...”
Fundnota:
[1] Dhe ne pyesim nëse në shekullin e 15-të ne do e meritonin që të kishim për prijës dikë si el-Haxhaxh bin Jusuf, e lëre më pastaj një si puna e Jezid Ibn Mu’auijes!! Pastaj, vinë bidatçijtë nga mesi i Kutbijinëve, Sururive, Tekfirsave etj, dhe ankohen për udhëheqësit e ditëve të sotme!! Ndërkohë që i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që u dërgua tek ata ka thënë, ashtu siç iu shpall nga Zoti i tij, se do të ketë prijësa kah Fundi i Kohës “që kanë zemra të shejtanëve në trupa njerëzish”, të cilët “nuk udhëzojnë me udhëzimin tim dhe nuk ndjekin Sunetin tim” dhe se ata “do të godasin shpinat tuaja dhe do t’ju marrin pasurinë me pa të drejtë” – dhe pavarësisht të gjitha këtyre, ai na lajmëroi se mënyra më e mirë se si të sillemi me ta është që “të dëgjojmë dhe të bindemi”.
[2] Dhe ata që kanë intelekt të shëndoshë janë njerëzit që ndjekin metodologjinë e Selefëve në të gjitha çështjet, veçanërisht në çështjet e daues dhe përmirësimit të njerëzve dhe tokës, për shkak se ata janë në metodologjinë e Pejgamberëve në thirrjen për tek Allahu, e cila është rruga e urtësisë dhe mençurisë. Ata janë mjekët e kualifikuar për identifikimin e shkaqeve (të sëmundjeve) dhe i trajtojnë ato ashtu siç duhet. Dhe intelekti i tyre i shëndoshë përputhet, pajtohet dhe ndjek Shpalljen. Kështu që, saktësia e intelektit qëndron në ndjekjen dhe imitimin (e gjurmëve të Selefëve), duke mos bërë bidate e duke mos devijuar.
[3] Kurse ata që kanë intelekt të dobët janë Bidatçijtë, ata që kanë shpikur e kanë sajuar metodologji të pabaza në çështjet e daues dhe përmirësimit të njerëzve dhe tokës, siç është tekfiri kundër udhëheqësve, përplasja e armatosur me qeveritë dhe tentativat për rrëzimin e tyre dhe marrjen e pushtetit. Ata janë mjekët e rremë, të vetëquajturit mjekë, sharlatanë që me intelektet e tyre të dobëta na tregojnë simptomat dhe pastaj i trajtojnë ato për së prapthi vetëm me bidate dhe sajesa. Pavarësisht pretendimeve të disave kinse ata janë intelektualë, kinse ata kanë një aktivitet të lartë të trurit të tyre dhe kanë kontribuar për ‘Mendimin Islamik’, ata prapëseprapë mbeten të mekur e të çalë në intelektet e tyre sepse ata nuk ndjekin dhe nuk imitojnë (ata që është kanë lënë trashëgimi të Parët tanë të Mirë, es-Selefus-Salih), por ata shpikin dhe devijojnë.
Përktheu: Jeton Shasivari