Bismilah...

 

Autor: el-Imam, Shejkh Muhamed bin Salih el-‘'Uthejmin
Burimi: www.ibnothaimeen.com/all/nor/article_7242.shtml

Pyetje: Një nga vëllezërit Sudanezë i cili jeton në mbretëri (Arabi Saudite) në qytetin Baha, pyet: Ehlus-Sunneh uel-Xhema’ah thonë se vendbanimi i fundit i atyre që e adhurojnë Allahun me Teuhid do të jetë Xheneti. Por kanë ardhur shembuj në disa hadithe se:

Nuk hyn në Xhenet ai që i këput lidhjet farefisnore.

dhe:

Nuk hyn në Xhenet ai që merret me thashetheme.

Kështu që, ata Muslimanë të cilët e adhurojnë Allahun me Teuhid por që bien tek një nga këto dy grupe njerëzish, mos vallë ata s’kanë për të hyrë kurrë në Xhenet, ashtu siç të japin përshtypjen këto tekste, ose si duhet t’i kuptojmë ne ato?

 

Përgjigje: Tekstet që përmbajnë kërcënimet dhe tekstet e tjera të ngjashme – qofshin ato nga hadithet apo nga ajetet Kur’anore – janë ato që i shtynë sektet e Khauarixhëve dhe Mu’tezilëve që të thonë se kushdo që bën një gjynah të madh do të qëndrojë përgjithmonë në Zjarr. Kjo për shkak se ata i marrin këto tekste të përgjithshme dhe i harrojnë tekstet e tjera që bien ndesh me to. Dhe ka shumë argumente që thonë se Muslimani që e adhuron Allahun me Teuhid apo ata që kanë iman në zemrat e tyre qoftë sa një grimcë nuk do të qëndrojnë në Zjarr përgjithmonë.

Poashtu, përgjithshmëria e teksteve që përmbajnë shpresa dhe premtime ku thuhet se besimtarët do të hyjnë në Xhenet e shtynë sektin e Murxhi’ave që t’i shpërfillnin tekstet me kërcënime. Ata thanë se çdo besimtar – edhe sikur ai të jetë një gjynahqar i poshtër – nuk do të hyjë kurrë në Xhehenem. Pra, këta njerëz marrin vetëm këto tekste të përgjithshme (që përmbajnë shpresa dhe premtime) kurse ato sektet e tjera marrin vetëm tekstet e përgjithshme me kërcënime.

Sidoqoftë, Allahu e ka udhëzuar Ehli-Sunetin dhe Xhematin në besimin e mesëm, të moderuar, i cili përfshin kuptimin e të dyja argumenteve duke i ndërthurur ato me njëra-tjetrën. Ky besim është që bërësi i gjynaheve të mëdha nuk e lë plotësisht Imanin e tij (për shkak të atij gjynahu të madh). Ai mund ta meritojë dënimin, por Allahu mundet ta falë atë e të mos e hedhë në Zjarr, ose ndoshta dikush tjetër mund të kërkojë falje për të dhe si rezultat Allahu mundet të mos e dënojë atë. Dënimi i tij ka gjasa që të shlyhet edhe nga mënyra të tjera. Megjithatë, nëse nuk ka agjë se me çfarë të shmangë dënimin, atëherë ai mund të dënohet sipas gradës së veprës së tij dhe pas kësaj ai do të futet në Xhenet. Kjo është metodologjia dhe kuptimi i Ehli-Sunetit dhe Xhematit.

Duke u bazuar në këtë kuptim, hadithi i përgjithshëm me kërcënim, njësoj si hadithet që përmendi pyetësi, “Nuk hyn në Xhenet ai që i këput lidhjet farefisnore” dhe “Nuk hyn në Xhenet ai që merret me thashetheme” kuptimi i tyre është se njerëz të tillë nuk do të hyjnë në Xhenet me një hyrje të përsosur, absolute, pa u dënuar. Por, fillimisht ai mund të dënohet (para se të hyjë në Xhenet) nëse asgjë nuk e fshin atë gjynah, si për shembull falja e Allahut etj. Pra, kuptimi është se ai nuk do të hyjë në Xhenet në mënyrë absolute e të përsosur, pa kaluar fillimisht një formë dënimi. Me këtë kuptim, të gjitha argumentet kuptohen të gjitha së bashku (pa patur ndonjë përplasje ndërmjet tyre).

 

 

Përktheu Alban Malaj