Pyetje: Një motër në Islam pyet: A është nata e Kadrit fikse apo ndryshon çdo vit?
Përgjigjje: Më e mundshme është që nata e Kadrit të jetë nata e njëzetë e shtatë, për këto arsye:
Transmetohet nga Zirr se ka thënë: E kam dëgjuar Ubejj ibën Ka’bin të thotë se atij i kishin thënë që ‘AbdUllah ibën Mes’udi thoshte:
“Kush falet gjatë gjithë vitit, do ta arrijë natën e Kadrit.”
Kurse Ubejji i tha:
“Pasha Allahun – përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë – ajo natë është në Ramazan.”
Ai u betua pa bërë përjashtim dhe tha:
“Pasha Allahun, unë e di se cila natë është. Ajo është nata që i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – na urdhëroi të falim namaz nate. Ajo është nata e mëngjesit të njëzetë e shtatës, dhe shenja e saj është që dielli lind në mëngjesin e saj i bardhë pa rreze.” E ka transmetuar Muslimi (nr.762).
Transmetohet nga Ibën ‘Umeri – radijAllahu ‘anhuma – se ai ka thënë: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Kush e kërkon atë, le ta kërkojë në natën e njëzet e shtatë.”
Dhe ai ka thënë:
“Kërkojeni atë në natën e njëzet e shtatë!”, domethënë atëherë kërkojeni natën e Kadrit." E ka transmetuar Ahmedi.
Këtë e ka përmendur babai im, shejkh Mukbili – Allahu e mëshiroftë – në librin “El-Xhamiu es-Sahih mimma lejse fis-Sahihajn” (1510).
Transmetohet nga ‘AbdUllah ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – se: Një burrë erdhi te Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe tha:
“O i Dërguari i Allahut, unë jam plak dhe i sëmurë dhe e kam të vështirë të falem gjatë natës. Më trego një natë që ndoshta Allahu më jep sukses ta arrij natën e Kadrit.”
Ai tha:
“Mbaju natës së shtatë.”
Ajo mund të jetë edhe në një natë tjetër përveç natës së njëzet e shtatë, sepse Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në disa argumente ka nxitur që të kërkohet në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.
Ky është argument se ajo mund të ndryshojë nga një vit në tjetrin, nëse dëshiron Allahu i Patëmeta e i Lartësuar.
Gjithashtu, është transmetuar inkurajimi që nata e Kadrit të kërkohet në shtatë netët e fundit.
Është vërtetuar nga Ibën ‘Umeri – radijAllahu ‘anhuma- se disa burra nga sahabët e Profetit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e panë natën e Kadrit në ëndërr në shtatë netët e fundit, dhe i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – tha:
“Po shoh se ëndrrat tuaja përputhen në shtatë netët e fundit. Prandaj, kush e kërkon atë, le ta kërkojë në shtatë netët e fundit.” E ka transmetuar Bukhari (nr.2015) dhe Muslimi (nr.1165).
Shejkh Ibën ‘Uthejmini – Allahu e mëshiroftë – ka thënë në librin “Sherh Bulugh el-Meram” (vëll.3/fq.308):
“Si të bëjmë bashkimin midis këtij hadithi që flet për shtatë netët e fundit, me hadithet e tjera ku Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka urdhëruar ta kërkojmë në dhjetë netët e fundit?
Ne themi që: Ajo është në dhjetë netët e fundit, por në shtatë netët e fundit është më e mundshme, pastaj në netët teke është edhe më e mundshme, kurse në natën e njëzetë e shtatë është akoma më e mundshme.”
Burimi: https://alwadei967.blogspot.com/2023/04/47_11.html
Përktheu: Umm ‘Akil