Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Mëshira dhe Shpëtimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Më pas:
Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - i përgëzonte shokët e tij me rastin e ardhjes së muajit të Ramazanit, siç ka ardhur në hadithin e Selmanit - Allahu qoftë i kënaqur me të - se ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - mbajti një hytbe ditën e fundit të muajit Shaban dhe tha:
"O ju njerëz, ju ka ardhur një muaj i madh dhe i begatshëm. Allahu e ka bërë obligim agjërimin e ditëve të Ramazanit dhe e ka bërë vullnetar namazin e netëve të tij. Kushdo që jep lëmoshë në këtë muaj apo kushdo që bën një vepër të mirë, është sikur të ketë kryer një obligim (farz) në muajt tjerë. Ai që kryen një obligim në muajin e Ramazanit, është sikur të ketë kryer shtatëdhjetë obligime në ndonjë muaj tjetër.”
Ky është një hadith madhështor, me të cilin Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - e priste muajin e Ramazanit. Ai e përshkroi atë se është muaj madhështor dhe muaj i begatshëm. Pastaj, Pejgamberi - salAllahu alejhi ue sel-lem - sqaroi atë që ka ligjëruar Allahu në këtë muaj, duke thënë:
“Allahu e ka bërë obligim agjërimin e ditëve të tij dhe e ka bërë vullnetar namazin e netëve të tij,” – pra Teravitë dhe aq sa ka mundësi të falë namaz nate – “Ai që bën vullnetarisht një vepër të mirë në këtë muaj, është sikur të ketë kryer një obligim në muajt tjerë; Ai që kryen një obligim në këtë muaj, është sikur të ketë kryer shtatëdhjetë obligime në një prej muajve të tjerë.”
Ky hadith sqaron vlerat e muajit të Ramazanit dhe sqaron atë që ka ligjëruar Allahu në këtë muaj nga mirësitë e Tij për Umetin. Ky është një muaj madhështor, Allahu - i Pastri prej të metave - e ka bërë atë të madhërishëm dhe të rëndësishëm dhe kjo gjendet në Fjalën e Tij, të Pastërtit nga të metat:
﴿شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ﴾
“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe Furkan (dallues i të mirës nga e keqja)!” El-Bekareh, 185
Kuptimi i Fjalës së Tij: “...në të cilin ka zbritur Kur'ani,” është thënë se: “Kurani ka zbritur në këtë muaj për të treguar vlerën e këtij muaji.”
Po ashtu për pjesën e ajetit: “në të cilën ka zbritur Kurani” është thënë se kjo do të thotë: “Kurani ka filluar të zbresë në këtë muaj, pastaj vazhdoi zbritja e Kur' anit në kohë të ndryshme, derisa u plotësua Kurani Fisnik me vdekjen e Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.”
Në këtë muaj ka mirësi të shumta; ai është një prej stinëve për të bërë vepra për në ahiret dhe është një përfitim i madh për atë që Allahu, i Plotfuqishëm dhe Madhëruar, i jep sukses.
Është transmetuar se dy persona bënin shumë adhurime dhe njëri prej tyre ndërroi jetë, kurse tjetri mbeti gjallë. Ky që mbeti gjallë i parapriu në shpërblime atij që vdiq! Me këtë rast, shokët e Pejgamberit u habitën nga kjo. Atëherë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - tha: “A nuk e arriti ky (i gjalli) muajin e Ramazanit dhe e agjëroi atë?” Ata thanë: “Po!” Ai tha: “A nuk e arriti Natën e Kadrit dhe u fal atë natë?" Ata thanë: “Po!” Ai tha: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, dallimi mes këtyre të dyve është si distanca midis qiellit dhe tokës.”
Ky hadith tregon për pozitën e këtij muaji dhe tregon për mirësitë që ka ligjëruar Allahu në këtë muaj.
Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Mëshira dhe Shpëtimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Përktheu: Abdullah Beqiri
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org