Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
(Historiku i ligjshmërisë së namazit të teravive)
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin, mbi familjen, shokët e tij dhe atë që e ndjek atë.
Një nga adhurimet që ka ligjëruar Allahu në këtë muaj të begatshëm është: mbushja e xhamive për të falur namazin e Teravive bashkërisht. Namazi i Teravive falet me xhemat në xhami. Ky është suneti. Nëse e falë në shtëpi, nuk ka ndonjë gjë të keqe, porse falja në xhami është më e mira dhe më e plota. Ky është muaji i mbushjes së xhamive.
Namazi i Teravive është një sunet i fortë; namazi i teravive është nga sunetet më të forta. Domethënë se është nga veprat vullnetare më të mira, ngase ky është udhëzimi i Pejgamberit. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - i fali teravitë disa netë bashkë me shokët e Tij nga fundi i muajit Ramazan dhe pasi që e morën vesh njerëzit, u mblodhën në xhami; çdo natë njerëzit mblidheshin sa më shumë. Pejgamberi u priu në namaz tre apo katër netë. Pastaj u mblodhën njerëz në xhami saqë u shtua shumë numri i tyre. Kështu, Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - nuk doli më të falej me ta në natën e katërt ose të tretën. Pastaj, ai ua sqaroi atyre arsyen e mosdaljes, kur doli t’u printe në namazin e sabahut, duke u thënë:
فَإِنَّهُ لَمْ يَخْفَ عَلَىَّ مَكَانُكُمْ، لَكِنِّي خَشِيتُ أَنْ تُفْرَضَ عَلَيْكُمْ فَتَعْجِزُوا عَنْهَا
“Unë e dija (mbrëmë) se ishit të pranishëm (në xhami), por (nuk dola) nga frika se mos bëhej obligim për ju, e ju nuk do të mundnit ta kryenit atë.”
Pra, ai nuk doli për shkak të kësaj urtësie, e ajo është: që mos të bëhej obligim për ta namazi i Teravive. Kështu, ky namaz do të ishte i vështirë për ta, kurse ai e donte lehtësimin për Umetin e tij, sepse Pejgamberi për besimtarët është i mëshirshëm, i dhembshur – sikurse e ka përshkruar Allahu me këtë. Duke u bazuar në veprën e tij - sal-Allahu ‘alejhi ue sel-lem - gjatë atyre netëve, u ligjërua falja e Teravive gjatë muajit të Ramazanit me xhemat në xhami dhe nuk u bë obligim për shkak të mosdaljes së Pejgamberit në fund të atyre ditëve.
Namazi i teravive u rikthye mbas vdekjes së Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - dhe njerëzit faleshin grupe-grupe në xhami. Kjo ndodhi gjatë khilafetit të Umerit – Allahu qoftë i kënaqur me të – dhe me këtë rast, ai tha: “Sikur t’i mblidhja të gjithë këta që ta faleshin mbrapa një imami të vetëm.” Kështu ai i mblodhi ata që të faleshin mbas Ubej Ibën Kaab – radijAllahu ‘anhu – i cili u printe në namaz. Sepse ishte nga ata që kishin memorizuar më së miri Librin e Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit. Umeri i mblodhi njerëzit që të faleshin mbas tij dhe Ubeji u printe në namaz. Kjo ndodhi në kohën e Umerit – radijAllahu ‘anhu – pasi që faleshin grupe-grupe. Në lidhje me këtë Umeri – radijAllahu ‘anhu - tha:
“Sa risi e mirë që është kjo!”
Domethënë risia e namazit të Teravive, sepse Pejgamberi nuk e veproi në këtë lloj mënyre (me kaq shumë njerëz). Ai e quajti risi nga aspekti gjuhësor, e jo nga aspekti fetar, sepse teravitë nuk janë bidat, por ai e tha këtë nga aspekti gjuhësor. Kurse bidati (risia) është shpikja e diçka të mirë, siç është Fjala e Allahut të Lartësuar:
بَدِيعُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ
“Ai është Krijuesi (Shpikësi) i qiejve dhe tokës.” El-Bekare, 118
Ky ajet do të thotë: Ai që i solli në ekzistencë pa ndonjë shembull të mëparshëm. Pra, teravitë janë risi e mirë. Që nga ajo kohë, namazi i Teravive vazhdoi të falet në xhami në muajin e Ramazanit në veçanti.
Allahu i Lartësuar është më i Dituri.
Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë.
Përktheu: Abdullah Beqiri