Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

 

(Ndodhia e zbritjes së Shpalljes)

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –, para se t’i vinte shpallja, iu bë e dashur veçimi nga njerëzit, dhe kjo quhet “إرْهاص - irhas”, e cila është një shenjë që i paraprinë profecisë. Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – shkonte te gruaja e tij Khadixheja dhe ajo i jepte çfarë i nevojitej atij për një kohë të gjatë. Kështu, Pejgamberi shkonte në shpellën Hira, në majën e malit Nur, ulej aty dhe adhuronte dhe përkujtonte Zotin e tij. Kjo shpellë është në majë të malit, i cili është në drejtim të Kabes. Ai që hipën në të shikon Kaben e nderuar.

Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ulej në të dhe veçohej me Zotin e tij, për disa netë. Ndërsa Khadixheja, gruaja e Pejgamberit – radijAllahu ‘anha –, i përgatiste çfarë kishte nevojë, që ai ta merrte me vete. Një ditë kur ai ishte në shpellë, në shpellën Hira, i erdhi Xhibrili – alejhi selam – e mbërtheu dhe i tha: “Lexo!” Ia ktheu Pejgamberi: “Unë nuk jam lexues.” – domethënë unë s’di të lexoj. Ai e mbërtheu për së dyti dhe i tha: “Lexo!” E mbërtheu aq sa gati iu mor fryma, pastaj ia ktheu: “Unë nuk jam lexues.”  Ai e mbërtheu për të tretën herë dhe i tha:

اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ ﴿١﴾ خَلَقَ الْإِنسَانَ مِنْ عَلَقٍ ﴿٢﴾ اقْرَأْ وَرَبُّكَ الْأَكْرَمُ ﴿٣﴾ الَّذِي عَلَّمَ بِالْقَلَمِ ﴿٤﴾ عَلَّمَ الْإِنسَانَ مَا لَمْ يَعْلَمْ ﴿٥﴾

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi. Krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur. Lexo për Zotin tënd Bujar! Është Ai që ua mësoi pendën. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” El-‘Alak, 1-4

Pasi i dëgjoi ato fjalë, Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – shkoi te Khadixheja duke u dridhur nga frika. E njoftoi për atë që i ndodhi. Kurse ajo ia ktheu: “Jo, UAllahi, kurrë nuk do të poshtërojë Allahu ty. Ti i mban lidhjet farefisnore, e ndihmon nevojtarin dhe atë që i ka rënë fatkeqësi.” Ajo – Allahu qoftë i kënaqur me të – u argumentua me virtytet e tij për t’i treguar se Allahu nuk do ta humbë atë dhe se Ai do ta ruajë atë. Pastaj shkuan të dy bashkë te djali xhaxhait të Khadixhes, i cili ishte në fenë monoteiste të Ibrahimit - alejhi selam -. Ai lexonte librat dhe mësonte prej tyre. Ai e njoftoi se çfarë i ndodhi atij. Kurse ai i tha: “Ky është Namusi që i zbriti Musait.” Domethënë ai ishte Xhibrili. Ai e qetësoi atë dhe i tha: “Ah sikur të isha i ri kur të thërrasësh në fe! Ah Sikur të isha aty kur të të nxjerrë populli yt nga vendi yt!” I tha Pejgamberi: “A do më nxjerrin mua?” Ai tha: “Po, secili që ka ardhur me atë që ke ardhur ti vetëm se është dëbuar. Nëse do isha në jetë do të ndihmoja sa të mundesha.” Ai e qetësoi Pejgamberin - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – derisa atij i iku frika.

Allahu i Lartësuar e di më së miri.

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin  mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org