Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Ndodhia e fillimit të davetit haptazi te Kurejshët

 

Të gjitha falenderimet dhe lavdet i takojnë Allahut. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

Në takimin e mëparshëm, ju treguam për ngjarjen e ardhjes së Xhibrilit tek Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – kur ai ishte në shpellën Hira, se si Xhibrili e shtrëngoi aq fort saqë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – u frikësua për veten e tij. Më pas i shpalli atij ajetet e para të Kuranit.

اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ ﴿١﴾ خَلَقَ الْإِنسَانَ مِنْ عَلَقٍ

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi. Krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur.” El-Alak, 1-2

Këto ishin ajetet e para që i zbritën Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – nëpërmjet Xhibrilit kur ai ishte në shpellën Hira. Pas kësaj i vinte Xhibrili dhe i lexonte Kuranin dhe kështu filloi Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – t’i thërriste njerëzit fshehtas në Islam, më pas i thirri ata publikisht kur Allahu zbriti ajetin :

وَأَنذِرْ عَشِيرَتَكَ الْأَقْرَبِينَ

“Dhe tërhiqi vërejtjen farefisit tënd më të afërt.” esh-Shuara, 214

Pejgamberi kur ishte në malin Kubejs, e thirri popullin e Tij dhe ata u mblodhën, pastaj u tha: “Nëse ju lajmëroj se mbas këtij mali është një ushtri armike gati për t’ju sulmuar, a do më besoni?” Ata thanë: “Sigurisht, nuk kemi parë tek ty ndonjëherë gënjeshtër.” Ai u tha: “Unë jam paralajmërues për ju, për një dënim të madh.” Tha xhaxhai i tij Ebu Lehebi: “T’u thafshin duart, a për këtë na mblodhe?!”

Dhe kështu zbriti Allahu i Lartësuar ajetin:

تَبَّتْ يَدَا أَبِي لَهَبٍ وَتَبَّ

“Ju thafshin duart Ebu Lehebit, dhe iu thanë!” el-Mesed, 1

E deri në fund të sures.

Nga kjo ngjarje përfitojmë se muslimani duhet të bëjë durim për çdo vështirësi që do t’i ndodhë në kërkimin e dijes, memorizimit të Kuranit dhe leximit të Tij, si dhe ndaj refuzimeve që do t’ia bëjnë kundërshtarët. Ai duhet të bëjë durim kur të përballet me këto, derisa Allahu i Plotëfuqishëm e i Madhërishëm t’i japë ngadhënjim, ashtu siç ndodhi me Pejgamberin - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –. Ai triumfoi dhe daveti i tij u përhap në katër anët e botës, pavarësisht tentativave të armiqve për ta zhdukur dhe për ta ndaluar davetin e tij.

Përfitojmë gjithashtu që muslimani duhet të durojë, duhet të përpiqet në rrugën e Allahut duke bërë davet, duke urdhëruar për të mirë duke ndaluar nga e keqja, duke i mësuar të tjerëve Kur`anin dhe Sunetin dhe duhet të bëjë durim kur e dëmtojnë kundërshtarët, sepse përfundimi i mirë do të jetë për durimtarët, do të jetë për ata që duruan në përhapjen e dijes, në davet, në urdhërimin për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, siç i ndodhi Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –. Me këtë durim dhe me këtë rrugë përmbushet me Lejen e Allahut qëllimi i thirrësit për tek Allahu, dhe ai do të lumturohet me frytet e punës së tij.

Allahu i Pastër nga çdo e metë dhe i Lartësuar i shpalli të Dërguarit të Tij:

وَالْعَصْرِ ﴿١﴾ إِنَّ الْإِنسَانَ لَفِي خُسْرٍ ﴿٢﴾ إِلَّا الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَتَوَاصَوْا بِالْحَقِّ وَتَوَاصَوْا بِالصَّبْرِ ﴿٣﴾

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” El-Asr, 1-3

Kështu që, ai i cili thërret për tek Allahu, urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja dhe i mëson tjerëve mirësinë, ka nevojë për durim, se ai do të përballet me vështirësi kur të punojë me atë dije dhe do të përballet me vështirësi kur t’i thërrasë njerëzit. Le të bëj durim dhe do jetë përfundimi i lavdishëm për të, me Lejen e Allahut. 

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

 Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org