Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

Cili është pështjellimi në të cilin bien shumë prej atyre që adhurojnë Allahun

 

Me Emrin e Allahut. Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

E më pas:

Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –  ua ka bërë obligim robërve të Tij që ta adhurojnë Atë të vetëm dhe Ai i ka krijuar ata për këtë. Ai thotë:

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ

“Unë nuk i kam krijuar xhindët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.”[edh-Dharijat, 56]

Domethënë që të më veçojnë në adhurim dhe kjo është e drejta e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala – te robërit e Tij; që ta adhurojnë Atë dhe që të mos i shoqërojnë Atij askënd në adhurim. Pra, ata duhet ta adhurojnë Atë me këtë kusht, ngase ka shumë njerëz që e adhurojnë Allahun dhe bashkë me Allahun adhurojnë të tjerë. Ata i shoqërojnë Allahut të tjerë në adhurim. Shumica e arabëve ishin në këtë besim, e adhuronin Allahun por krahas tij adhuronin të adhuruar të tjerë. Kështu, Allahu i dërgoi të Dërguarit e Tij që t'i paralajmërojnë njerëzit kundër shirkut dhe adhurimit të diçkaje tjetër përveç Allahut ose bashkë me Allahun – SubhaneHu ue Te’ala–.

Adhurimi është e drejta e Allahut të vetëm. Adhurimi i tjetër kujt përveç Tij është adhurim i kot dhe i padrejtë. Ngase të gjitha këto krijesa janë robër të Allahut, janë krijesa të Allahut, e si mund t'i bëhen ortak Allahut në adhurim? Allahu ka sjell një shembull për këtë, shembullin e pronarit dhe shërbëtorit të tij, e pastaj shërbëtori të marrë nga pronat e pronarit të tij.

ضَرَبَ لَكُم مَّثَلًا مِّنْ أَنفُسِكُمْ ۖ هَل لَّكُم مِّن مَّا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُم مِّن شُرَكَاءَ فِي مَا رَزَقْنَاكُمْ فَأَنتُمْ فِيهِ سَوَاءٌ خَافُونَهُمْ كَخِيفَتِكُمْ أَنفُسَكُمْ

“Ai ju ka sjellë një shembull nga vetë jeta juaj: A janë skllevërit (shërbëtorët) tuaj pjesëtarë të barabartë me ju në pasurinë që Ne ju kemi dhënë juve, dhe a u frikësoheni atyre njësoj siç i frikësoheni njëri-tjetrit?” [err-Rrum, 28]

Atyre nuk u vjen mirë që shërbëtorët  e tyre të jenë pjesëtarë të barabartë me ta, atëherë si doni që robërit e Tij të jenë ortakë të barabartë me Allahun, apo krijesat e Tij të cilat kanë nevojë për Allahun – SubhaneHu ue Te’ala – sepse Ai është i Pasuri që s'ka nevojë për askënd dhe Ai është i Lavdishmi.

Përderisa njeriut nuk i vjen mirë që shërbëtori i tij të jetë ortak i barabartë me të, atëherë si doni që robërit dhe krijesat e Allahut të jenë ortakë të barabartë me Allahun? Ata e kanë bërë të lejuar të drejtën e Allahut, ndërsa të drejtën e tyre nuk e lejojnë për askënd.

Kur bënin Telbijen e haxhit, mushrikët thonin: “T'u përgjigjëm O Allah, t'u përgjigjëm Ty, e Ti nuk ke asnjë ortak, përveç një ortaku që Ti e ke, Ti e posedon atë por ai nuk posedon asgjë.”

Allahu – i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar – thotë duke ua hedhur poshtë atë që thonë ata:

﴿ضَرَبَ لَكُم مَّثَلًا مِّنْ أَنفُسِكُمْ هَل لَّكُم مِّن مَّا مَلَكَتْ أَيْمَانُكُم مِّن شُرَكَاءَ فِي مَا رَزَقْنَاكُمْ فَأَنتُمْ فِيهِ سَوَاءٌ تَخَافُونَهُمْ كَخِيفَتِكُمْ أَنفُسَكُمْ كَذَلِكَ نُفَصِّلُ الْآيَاتِ لِقَوْمٍ يَعْقِلُونَ﴾

“Ai ju ka sjellë një shembull nga vetë jeta juaj: A janë skllevërit (shërbëtorët) tuaj pjesëtarë të barabartë me ju në pasurinë që Ne ju kemi dhënë juve, dhe a u frikësoheni atyre njësoj siç i frikësoheni njëri-tjetrit? Ja, kështu Ne ua shpjegojmë hollësisht shenjat Tona njerëzve që kanë logjikë.” [err-Rrum, 28]

Pra, Allahu e hodhi poshtë fjalën e tyre: Përveç një ortaku që Ti e ke, Ti e posedon atë por ai nuk posedon asgjë.” Dhe i urdhëroi ata që të thonë: “T'u përgjigjëm O Allah, t'u bindëm Ty, e Ti nuk ke asnjë ortak, Ty të përket Lavdia, Mirësia dhe Sundimi, e Ti nuk ke asnjë ortak.”

Pra, me këtë ata e veçuan Allahun e Madhërishëm e të Lartësuar në Telbijen e Haxhit dhe e veçuan po ashtu në të gjitha adhurimet. Kështu, ata nuk i shoqëruan Allahut në adhurim askënd, kushdo qoftë ai, sepse vetëm Allahu është Ai që e meriton adhurimin, i vetmi që meriton lavdet dhe falënderimin, i vetmi që meriton të gjitha lavdërimet dhe çdo lloj adhurimi.

Allahu e di më së miri. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org