Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Pejgamberi ka urdhëruar që të hiqen të gjitha hajmalitë dhe qaforet që mbahen për të larguar dëmin apo syrin e keq

Të gjitha falenderimet dhe lavdet i takojnë Allahut. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

Njerëzit në kohën e Xhahilijetit praktikonin gjëra që kundërshtojnë sheriatin, siç ishin besëtytnitë e asaj kohe, prej të cilave ishte varja e hajmalive dhe qaforeve mbi bagëtitë, me të cilat ata pretendonin se largonin syrin e keq. Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – u dërgoi atyre një lajmëtar - të cilin e zgjodhi nga Shokët e Tij – që t’i paralajmërojë nga kjo gjë, që t'i urdhërojë ata që t'i heqin qaforet që kishin lidhur nëpër devetë e tyre etj., si dhe t’i linin besimet e kota që kishin ata. Ata i varnin këto qaforet tek devetë e tyre me pretendimin se kjo i mbron ata nga syri i keq. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - u dërgoi fjalë atyre: “Mos të ngelet qafore prej lëkure (uatar) nëpër deve pa u këputur.” ‘Uatar’ është litari prej lëkure që përdoret për harkun që gjuanin shigjetat. Këto litarët prej lëkure kur vjetërsoheshin, ata i merrnin dhe i kthenin në qafore për kafshët e tyre, me pretendimin se ato i mbronin bagëtitë nga sëmundjet. Këto ishin nga besimet e kota dhe nga mbeturinat e Xhahilijetit.

Pra, Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – u dërgoi fjalë atyre që assesi të mos të ngelet qafore prej lëkure apo qafore në përgjithësi nëpër kafshë pa u këputur. Ai veproi kështu që ta eliminojë këtë praktikë të Xhahilijetit dhe që ta pastrojë Teuhidin dhe Akiden. Me këtë u dërgua Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – dhe me këtë i urdhëroi njerëzit, që të largohen nga këto besime të kota të Xhahilijetit, siç ishin qaforet që përmbajnë shirk. Ndërsa qaforet që vendosen te bagëtitë për të dalluar ato që do të bëhen kurban (për haxh dhe umre) janë të lejuara, ngase ato ishin për t’i dalluar nga të tjerat, që mos të ngatërroheshin me të tjerat. Kështu është çështja e qaforeve: nëse ato vendosen me ndonjë besim shirku apo bidati nuk lejohen, por nëse lidhen në qafët e kafshëve për ta drejtuar atë, ose për ta dalluar që është “kurban” për haxh dhe umre, atëherë kjo nuk ka të keqe në të.

جَعَلَ اللَّـهُ الْكَعْبَةَ الْبَيْتَ الْحَرَامَ قِيَامًا لِّلنَّاسِ وَالشَّهْرَ الْحَرَامَ وَالْهَدْيَ وَالْقَلَائِدَ ۚ

"Allahu e bëri Qaben, shtëpinë e shenjtë, vend jetësimi (çështjet të fesë dhe të jetës) për njerëz, dhe muajin e shenjtë, edhe kurbanin edhe ato (bagëti të shënuara për kurban) me qafore." El-Maideh, 97

Qaforet në këtë ajet janë të këtij lloji, që përdoren për kurban, e nuk janë qafore si ato që bëheshin me besime të kota të shirkut dhe Xhahilijetit.

Allahu i Lartësuar e di më së miri. Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.Org