Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Rëndësia e pesë namazeve obligative në Islam
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Profetin tonë, Muhamed, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.
E më pas:
Me të vërtetë që pesë namazet obligative janë shtylla e dytë nga 5 shtyllat e Islamit, mbas dy dëshmive (të Islamit). Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë: “Islami është që të dëshmosh se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe bërja e haxhit nëse të jepet mundësia.”
Namazi është shtylla e islamit, siç ka ardhur në hadith, se koka e gjithë çështjes është Islami, shtylla e saj është namazi dhe kulmi i tij është xhihadi në rrugë të Allahut.
Për pesë namazet, ka thënë Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar:
فَأَقِيمُوا الصَّلَاةَ ۚ إِنَّ الصَّلَاةَ كَانَتْ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ كِتَابًا مَّوْقُوتًا
"E faleni namazin, ngase namazi është obligim për besimtarët në kohë të caktuar." [En Nisa 103]
Domethënë namazi është obligim që të falet në kohë të caktuara. Këto kohë janë përmendur së bashku te Fjala e Allahut të Lartësuar:
أَقِمِ الصَّلَاةَ لِدُلُوكِ الشَّمْسِ إِلَىٰ غَسَقِ اللَّيْلِ وَقُرْآنَ الْفَجْرِ ۖ إِنَّ قُرْآنَ الْفَجْرِ كَانَ مَشْهُودًا ﴿٧٨﴾
"Kryeje namazin prej kthimit të Diellit (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe leximin e Kur’anit në agim (namazin e sabahut); me të vërtetë që namazi i sabahut është i dëshmuar." [El-Isra, 78]
Përmendi Allahu tre kohë: kur kalon dielli zenitin, i cili është namazi i drekës, deri në errësirën e natës, këtu përfshihet namazi i ikindisë, namazi i akshamit dhe namazi i jacisë; kurse namazi i sabahut është leximi i Kur’anit për sabah. Ai e përmendi namazin e sabahut me fjalën "leximi i Kur`anit" se në atë namaz është e pëlqyer që të zgjatet leximi i Kur`anit. Namazi i sabahut është i dëshmuar, d.m.th.është i dëshmuar nga melaiket rojtarë, që janë melaiket e natës dhe ata të ditës, të cilët mblidhen në namazin e ikindisë dhe në namazin e sabahut. E këto dy namaze janë namazet më të mirat nga të pestat.
Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar thotë:
حَافِظُوا عَلَى الصَّلَوَاتِ وَالصَّلَاةِ الْوُسْطَىٰ
“Ruajini namazet, dhe namazin e mesit.” [el-Bakara, 238]
Namazi i mesit është namazi i ikindisë, siç ka ardhur në hadith të saktë se ai është namazi i ikindisë.
Këto pesë namaze janë farz, janë obligim dhe përpos këtyre janë vullnetare. Dhe namazet vullnetaret plotësojnë ato që janë obligim. Namazet vullnetare ndahen në dy kategori: namaze vullnetare të përgjithshme dhe namaze vullnetare te përcaktuara, të cilat janë sunetet e rregullta të cilat falen me namazet farz: katër rekate para drekës dhe dy rekate mbas saj, dy rekate pas akshamit, dy rekate mbas jacisë dhe dy rekatet para sabahut. Këto janë sunetet e rregullta që falen me namazet farz, të cilat janë 20 rekate (nëse i bashkëngjit me farzet edhe tre rekatet e vitrit). E nëse fal akoma më shumë namaze vullnetare, siç është namazi i natës, atëherë kjo është më e plotë dhe më e përkryer. Nëse ai bashkon me namazet farz edhe namazet sunete që falen për secilin namaz dhe namazin e natën, atëherë i bie që ai e ka kaluar kohën e tij duke i bërë adhurim Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm.
Allahu e di më së miri.
Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.
Përktheu: Abdullah Beqiri
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org