Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Udhëzimi i Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në 10 netët e fundit të Ramazanit
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Profetin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.
E më pas:
Udhëzimi i Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në dhjetë netët e fundit të Ramazanit në veçanti ishte se ai përpiqej më shumë në adhurim sesa në njëzetë netët e para. Në njëzet netët e para, ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – falej dhe flinte, ndërsa kur hynte dhjetë ditëshi i fundit ai përpiqej dhe përkushtohej më tepër, si dhe e zgjonte familjen e tij. Pra, ai përpiqej në këto dhjetë ditët e fundit më shumë sesa përpiqej në ditët e tjera të muajit. Kjo, sepse ky është fundi i muajit dhe janë netët dhe ditët më të vlefshme të muajit.
Gjatë këtyre netëve Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – përpiqej aq shumë saqë sipas një transmetimi ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – nuk shijonte gjumë. Kështu pra, edhe muslimani duhet ta ndjekë shembullin e të Dërguarit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në këtë gjë dhe në gjëra të tjera. Sepse muslimani ka nevojë që të shtojë veprat e mira, sidomos në këtë muaj të begatshëm, e sidomos në këto dhjetë netët e fundit të begata të Ramazanit.
Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – bënte itikaf në këto net. Kuptimi i itikafit është qëndrimi në xhami dhe veçimi në një anë të xhamisë. Atij i shtronin një rrogoz dhe ai rrinte ulur në të, veçohej me Zotin e Tij, përkushtohej me dhikër për Allahun, e linte takimin me njerëzit dhe uljen me ta, me qëllim që të lidhej me Zotin e tij – SubhaneHu ue Te’ala –. Pra, ai bënte itikaf në këto dhjetë ditë. E nëse diçka e pengonte nga itikafi në këto ditë, ai bënte itikaf në dhjetë ditshin e parë të muajit Sheual, ngase Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – kur e bënte një vepër, ai i qëndronte asaj, d.m.th. e bënte përherë.
Ai e bënte gjithmonë në dhjetë ditshin e fundit itikafin, namazin e natës, dhikrin për Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm, leximin e Kur’anit, derisa të mbaronte ky dhjetë ditësh dhe pastaj ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - dilte nga itikafi dhe vazhdonte me punët që bënte zakonisht. Kjo tregon se muslimani duhet ta veçojë këtë dhjetë ditësh nga ditët e tjera, duke shtuar veprat e mira, siç është namazi i natës dhe itikafi, duke u përpjekur në kryerjen e adhurimeve. Ky është udhëzimi i Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, është udhëzimi i Prijësave të drejtë që erdhën mbas tij, është udhëzimi i Sahabëve të tij të nderuar, si dhe udhëzimi i grave të tij - Allahu qoftë i kënaqur me to -, të cilat e ndiqnin shembullin e tij në këto dhjetë ditët e fundit të begatshme.
Ato bënin itikaf dhe e shtonin dhikrin për Allahun, leximin e Kur’anit dhe namazin e natës, ngase këto janë dhjetë ditë të begata dhe veprat në to duhet të shumëfishohen më shumë se jashtë tyre, ngase ato janë përmbyllja e muajit dhe veprat vlerësohen sipas përfundimit. Kështu që, muslimani duhet të përfitojë nga këto dhjetë ditët e fundit duke bërë vepra të mira.
Pastaj ai e mbyllte muajin me namazin e bajramit e me tekbir:
وَلِتُكْمِلُوا الْعِدَّةَ وَلِتُكَبِّرُوا اللَّـهَ عَلَىٰ مَا هَدَاكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ ﴿١٨٥﴾
"...dhe t'i përmbushni ditët (e mbetura nga Ramazani) e të madhëroni Allahun për udhëzimin që ua ka dhënë, që të jeni falënderues." [el Bakara 185]
Ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e mbyllte me tekbir, kur plotësohej hëna e muajit të Ramazanit. Pra, ai e mbyllte muajin e Ramazanit duke bërë tekbir (Allahu Ekber).
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.
Përktheu: Abdullah Beqiri
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org