Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

 

(Përgëzimi dhe urimi me ardhjen e muajit të Ramazanit)

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salavatet dhe selamet më të plota dhe më të përsosura qofshin mbi atë që është dërguar si mëshirë për njerëzimin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Më pas:

Të nderuar vëllezër dhe motra, ju them: Esselamu alejkum ue rahmetull-Llahi ue berekatuHu! Në këtë takim, do të ndalemi që të flasim për përgëzimin dhe urimin me arritjen e muajit të Ramazanit. Muaji i Ramazanit është muaji i mirësive dhe begative. Muaj, në të cilin shtohet mëshira, dhe shtohet Falja e Zotit të tokës e të qiejve. Ai muaj është më i mirë për besimtarët se e gjithë ajo që grumbullojnë njerëzit për dunjanë e tyre. Prandaj, është e drejta e njerëzve të imanit që ta duan muajin e Ramazanit, dhe të gëzohen me ardhjen e Ramazanit, dhe ta urojnë njëri-tjetrin për arritjen e muajit të Ramazanit.

Prandaj, i dashuri ynë, prijësi ynë, drita e syve tanë – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – i përgëzonte shokët e tij me ardhjen e muajit të Ramazanit, dhe në këtë përgëzim kishte dhe urim për ta për muajin e Ramazanit. I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – thoshte: "Kur vjen muaji i Ramazanit hapen dyert e Xhennetit, mbyllen dyert e Zjarrit dhe prangosen shejtanët!"

Gjithashtu i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – u thoshte shokëve të vet: "U erdhi juve Ramazani, muaj i bekuar! Allahu ua ka obliguar juve agjërimin e tij, në këtë muaj hapen dyert e qiellit, dhe mbyllen dyert e Zjarrit, dhe prangosen shejtanët rebelë. Në këtë muaj Allahu ka përzgjedhur një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga mirësia e kësaj nate, është privuar prej të gjitha mirësive!"

Oh, çfarë përgëzimi që është ky! Oh, çfarë urimi që është ky! Urim për këtë muaj madhështor! U erdhi Ramazani! Ai është një  emër që fut gëzim në zemrat e besimtarëve! Muaj i bekuar, e ka bekuar Allahu – 'Azze ue Xhel, dhe në të ka sjell bereqet për besimtarët! Allahu ua ka obliguar juve agjërimin e tij: pra, agjërimi i tij është obligim. Në të ka mirësi që do t'i sqarojmë më pas në dashtë Allahu – 'Azze ue Xhel.

Kështu që nëse na e mundëson Zoti ynë, i Pastër nga të metat e i Lartësuar, do të takohemi në ligjëratën tjetër, me temën: "Takime në këtë muaj të bekuar".

Allahu i Lartësuar e di më së miri, dhe salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë!

 

Përktheu: Servet Mata

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org