Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Kurbani: një adhurim madhështor i cili është përmendur bashkë me namazin në Kur’an
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
Nga llojet e adhurimit është edhe therja e kurbanit, për t’u afruar tek Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –. Kurbani i bagëtive bëhet me qëllim që të afrohesh tek Allahu si dhe për të ngrënë mishin e tyre dhe të përfitosh nga to, e ky adhurim s’duhet të bëhet dhe të shpërdorohet për idhujt apo për varret apo për teqet, siç bëjnë disa, por ajo duhet therur me bismilah dhe sipas sunetit të të Dërguarit të Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –. Pra, therja e kurbanit është nga llojet e adhurimit.
Thotë Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –:
فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ ﴿٢﴾
“Andaj, ti falu për Zotin tënd dhe ther kurban!” [el Keuther 2]
Allahu e përmendi kurbanin përkrah namazit. Kjo argumenton se kurbani që është për afrim për adhurim, duhet që të bëhet vetëm për Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm.
“Falu për Zotin tënd” , d.m.th. mos u fal për dikë tjetër pos Atij.
“dhe ther kurban” d.m.th. bëj kurban vetëm për Të e mos ther kurban për tjetër kënd veç Atij, siç therin për varret, tyrbet apo për idhujt apo për fall, ngase të gjitha këto janë prej praktikave të kohës së Xhahilijetit. Prandaj erdhi Islami për t’i fshirë ato dhe për t’i ndaluar.
قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي
“Thuaj: “Namazi im dhe kurbani im...” el-En’am, 162
Kurbani është bagëtia që theret. E përmendi atë Allahu përkrah namazit. Prandaj, sikur që falemi vetëm për Allahun, po ashtu duhet të theret kurban vetëm për Allahun – SubhaneHu ue Te’ala –, pra kurbani që theret si afrim për tek Allahu. Ndërsa therja e bagëtisë me qëllim për të ngrënë mishin, kjo është e lejuar. Kurse kurbani që bëhet me qëllim për afrim dhe adhurim, ky nuk duhet të bëhet vetëm se për Allahun. Pra kurbani dhe therja duhet të jenë vetëm për Allahun, ndryshe nga ajo që bëjnë ata të cilët therin kurban për varret, për tyrbet, për pemët, për gurët, siç bënin në kohën e Xhahilijetit dhe siç bëjnë njerëzit e besëtytnive sot, të cilët ecin në rrugën e kohës së Xhahilijetit të parë.
Pra, këto janë mbeturina të Xhahilijetit, të cilat është obligim që të mënjanohen dhe të paralajmërohet kundër tyre, si dhe të bëhen adhurimet me sinqeritet vetëm për Allahun, siç është kurbani dhe therja që bëhen për t’iu afruar Allahut – SubhaneHu ue Te’ala –.
Kështu që, nuk duhet të theret kurban për tyrbe, për varr, për xhind ose për ndonjë njeri, porse kurbani që theret për afrim dhe adhurim duhet të bëhet sinqerisht vetëm për Allahun një të vetëm, pa i bërë shok Atij. Gjithashtu prej llojeve të kurbanit për dikë tjetër veç Allahut është kurbani që theret për xhindët; kur dikush zhvendoset në një shtëpi të re, ai ther kurban një bagëti, merr gjakun e saj dhe e vendos në hyrje apo nëpër anët e shtëpisë, për të larguar xhindët sipas pretendimit të tij, porse kjo është prej shirkut ndaj Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm. Ama nëse dikush futet në shtëpi të re dhe ther një bagëti ose shtron një gosti, për të falënderuar Allahun, dhe fton vëllezërit e tij për të ngrënë, këtu nuk ka gjë të keqe. Porse kurbani që bëhet për t’u afruar tek dikush tjetër përveç Allahut, ky është i ndaluari dhe është nga llojet e shirkut që i bëhet Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm, si dhe nga praktikat e njerëzve të injorancës.
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.
Përktheu: Abdullah Beqiri
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org