Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

(Përkujtim dhe mësim rreth madhështisë së muajit të Ramazanit)

 

Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë. Salavatet dhe selamet qofshin mbi më të nderuarin e Pejgamberëve dhe të Dërguarve, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Më pas: Të nderuar vëllezër dhe motra, ju them: Esselamu alejkum ue rahmetull-Llahi ue berekatuHu!

Në këtë takim do të kemi një përkujtim dhe mësim rreth madhështisë së muajit të Ramazanit. Në këto ditë që ne po përjetojmë në këtë muaj madhështor, përkujtojmë se si ishim vitin e kaluar: e përgëzonim njëri-tjetrin për arritjen e muajit të mirësive dhe e uronim njëri-tjetrin për arritjen e muajit të mirësive! Ja ku jemi ne në këto ditë, e përgëzojmë njëri-tjetrin për arritjen e muajit të mirësive!

A e dini ju o vëllezër se çfarë do të thotë kjo?! Kjo do të thotë se një vit i plotë ka kaluar prej jetës tonë! I Pastër prej të metave është Allahu! Çdonjëri prej nesh i thotë vëllait të tij: kjo kohë mes vitit të kaluar dhe këtij viti, kaloi sikur të ishin disa çaste! Pra, ky është realiteti i jetës tonë: ajo kalon shpejt! Ndërsa ajo që merret në konsideratë janë veprat e mira dhe mirësitë që ne i bëjmë! Sa prej të dashurve tonë i kemi humbur! Sa prej të afërmve tonë ishin me ne vitin e kaluar, ishin pjesë e urimeve dhe përgëzimeve, dhe sot nuk janë më në mesin tonë! Ata kanë hyrë në varret e tyre, dhe ne nuk e dimë gjendjen tonë (se kur do të vdesim)!

Prandaj, është detyrë për ne që të përkujtojmë, të marrim mësim dhe ta shfrytëzojmë kohën! Sepse ndonjëri prej nesh sot ka mundësi që të përpiqet në bërjen e veprave të mira, dhe Allahu e di se si do të jetë ai nesër! Njeriu mund të dobësohet, mund të sëmuret, mund të preokupohet me ndonjë punë, ose edhe mund të vdesë. Kështu ai shkëputet nga këto vepra të mira. Të gjithë e dimë se i vdekuri do të donte që të kthehej në jetë, në mënyrë që t'i bënte Allahut një sexhdeh të vetme, edhe sikur ta jepte të gjithë botën në këmbim të kësaj. Ndërsa neve na e ka mundësuar Allahu - 'Azze ue Xhel - dhe na e ka zgjatur jetën tonë, saqë  e kemi arritur këtë muaj!

Kështu që, le t'i shfrytëzojmë të mirat e tij, t'i shtojmë veprat e mira, le të bëjmë përpjekje për të bërë vepra të mira! Duhet ta dimë se jemi duke garuar për në Xhennet! Urime për ata që garojnë! Urime për ata që shpejtojnë!

E lus Allahun 'Azze ue Xhel që të më bëjë mua dhe juve prej atyre që garojnë dhe fitojnë, shpejtojnë në vepra të mira dhe u pranohet, dhe të gjithëve të na i pranojë veprat e mira!

Allahu i Lartësuar e di më së miri, dhe salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë!

 

Përktheu: Servet Mata

Kliko këtu për atë parë videon në AudioSelefi.org